Qeveria e Kosovës sot miratoi unanimisht nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin të Zi dhe Serbinë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta.
Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës që të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës me letërnjoftim biometrik.null
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, në mbledhjen e Qeverisë kërkoi që të miratohet kjo nismë e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të këtyre shteteve.
“Më lejoni që të prezantoj para jush nismës për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare mes Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve të palëve të treta. Kjo draft marrëveshje është në frymën e interesave të përbashkëta dhe bashkëpunimit rajonal si rezultat i zotimit nga liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes, të mbajtur në muajin nëntor të vitit 2020 ku u nënshkruan dy deklaratat ajo për tregun e përbashkët rajonal me deklarata për agjendën e gjelbër, ky samit është vazhdimësi e procesit të Berlinit. Kjo marrëveshje përcakton kushtet e hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit të qytetarëve të palëve të treta në territorin e palëve në marrëveshje duke përdorur trafikun ajror, ujor dhe tokësor”, ka thënë Sveçla.
Ndërsa në lidhje me këtë zëvendëskryeministri i Qeverisë, Besnik Bislimi, tha se duhet të kenë kujdes ndaj shteteve për të cilat kanë rezerva.
“Kam vetëm një kërkesë, te kjo pjesa ku rregullohet lëvizja e qytetarëve të palëve të treta mendoj që duhet të kemi kujdes tek shtetet për të cilët kemi rezerva”, ka thënë Bislimi.
Ndërkaq, Sveçla tha se e kanë parasysh këtë kërkesë dhe se sipas tij do të jetë pjesë e marrëveshjes për të gjitha palët.
“Po dhe ne në MPB e kemi parasysh këtë kërkesë legjitime, do të jetë pjesë e marrëveshjes të nënshkruar nga të gjitha palët”, tha ndër të tjera ministri i MPB-së.