Një zjarr i përmasave të mëdha që përfshiu rreth 150 hektarë sipërfaqe malore dhe kullosa në fshatin Hereq të Gjakovës është lokalizuar pas një intervenimi të gjatë nga ekipet e zjarrfikësve.
Lajmi është bërë i ditur nga Njësia Profesionale e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Gjakovë, të cilët kanë intervenuar gjatë gjithë ditës për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Gjatë intervenimit, njëri nga zjarrfikësit ka pësuar lëndime dhe është trajtuar nga ekipi i ambulancës. Sipas zjarrfikësve, gjendja e tij është stabile.
Në operacionin për shuarjen dhe lokalizimin e zjarrit kanë ndihmuar edhe zjarrfikësit nga Deçani, të cilët iu janë bashkuar ekipeve të Gjakovës.
Falë angazhimit të ekipeve në terren, zjarri është lokalizuar dhe është parandaluar përhapja e tij në sipërfaqe të tjera.




















