Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar për realizimin me sukses të një operimi të rrallë.
Sipas njoftimit të spitalit në Facebook, për herë të parë në një institucion shëndetësor publik është kryer me sukses nefrektomia laparoskopike, një procedurë minimalisht invazive për heqjen e veshkës.
Ky intervenim është realizuar nga urologu Shkëlzen Elezaj, ndërsa në këtë proces kanë kontribuar edhe ekipet e Repartit të Urologjisë, Repartit të Anestezionit dhe Kujdesit Intensiv.
“Mirënjohje dhe falënderim të sinqertë për të gjithë ekipin që kontribuoi në këtë sukses: Repartin e Urologjisë, Repartin e Anestezionit, Kujdesin Intensiv. Faleminderit për përkushtimin, profesionalizmin dhe frymën e shkëlqyer ekipore. Falënderim i veçantë për kirurgun e palodhshëm Dr. Naim Loxha, për angazhimin, guximin profesional dhe kontributin e çmuar, si dhe për Dr. Liridon Elezaj për mbështetjen dhe bashkëpunimin professional”, shkroi mes tjerash spitali i Pejës.











