Gjykata e Apelit ka refuzuar të premten ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Pal Lekaj, Nebi Shatri, Eset Berisha dhe Besim Tahirit në rastin për keqpërdorim të 53 milionë eurove në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Gjykata i ka refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, të ushtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve.
“Gjykata e Apelit me aktvendimin, PN.S.nr.41/22 të datës 22.08.2022, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve P.L.,N.SH., , E.B., dhe B.T., të cilët ngarkohen sipas aktakuzave të Prokurorisë Speciale për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Kjo Gjykatë ka gjetur se, në aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me dyshimin e bazuar, duke vazhduar me arsyetimin se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, të cilat mbështesin veprimet e përshkruara si në aktakuzë”, thuhet në njoftim.
Hedhjen poshtë të aktakuzës e kanë kërkuar të akuzuarit për keqpërdorim të 53 milionë eurove në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Në seancën e mbajtur më 17 qershor, avokatët e të akuzuarave kanë ofruar argumentet e tyre kundërshtuese, ndërsa që prokurori i rastit ka insistuar në arsyeshmërinë e aktakuzës.
Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e 53 milionë eurove të paguara shtesë për konsorciumin “Bechtel-Enka”, janë Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berisha, ish-këshilltari i Lekaj, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Aktakuza mbështetet në opinionin e kompanisë “Hill” , e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për të mbikëqyrë projektin, sipas së cilës, për punët shtesë është dashur të paguhen 14 milionë euro, e të cilin opinion dyshohet se Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit nuk e ka prezantuar para Komitetit Ndërministror, duke i hapur rrugë pazarit prej 53 milionë eurove.
Ramush Haradinaj, që ishte kryeministër në kohën e ndarjes së këtyre mjeteve, në një interpelancë të mbajtur në Kuvend, në korrik të 2018-s ka thënë se pagesa prej 53 milionë eurove ka qenë e domosdoshme. Haradinaj ka akuzuar qeverinë paraprake të drejtuar nga Isa Mustafa, që ka dështuar të paguajë detyrimet ndaj “Bechtel-Enkas”.
Autostrada Prishtinë-Han i Elezit ka nisur më 2014 dhe ishte planifikuar të përfundonte më 2018 me koston prej 600 milionë eurove. Ajo është lëshuar në qarkullim në maj të vitit 2019. Edhe kostoja e saj, në ndërkohë ka pësuar rritje të madhe. Sipas ish-ministrit Lutfi Zharku, për ndërtimin e saj janë shpenzuar afro 800 milionë euro.