Pas renditjes së Kosovës thuajse në fund të tabelës së rezultateve të PISA 2025, ka reaguar edhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), e cila i ka cilësuar këto rezultate si alarm jo vetëm për arsimin, por edhe për ekonominë e vendit.
OEK ka thënë se rezultatet duhet të shërbejnë si alarm për ndërmarrjen e veprimeve konkrete, duke theksuar se nuk mund të ndërtohet një ekonomi konkurruese e së ardhmes pa një sistem arsimor që përgatit të rinj me njohuri dhe aftësi të nevojshme për tregun e punës.
“Për OEK-un, kjo nuk është vetëm çështje e arsimit. Cilësia e arsimit përcakton drejtpërdrejt cilësinë e fuqisë punëtore, produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe aftësinë e Kosovës për të tërhequr investime. Rezultatet e PISA-s duhet të shërbejnë si alarm për veprim konkret. Nevojitet bashkëpunim më i strukturuar ndërmjet institucioneve arsimore, Qeverisë dhe sektorit privat, me fokus në përmirësimin e aftësive bazë dhe lidhjen e arsimit me tregun e punës. OEK tashmë ka kontribuar në zhvillimin e arsimit dual dhe është e gatshme të mobilizojë bizneset për të ofruar më shumë mundësi për praktikë profesionale, mentorim dhe mësim në vendin e punës. Kosova nuk mund të ndërtojë një ekonomi konkurruese të së ardhmes pa një sistem arsimor që përgatit të rinj me njohuri, aftësi praktike dhe kapacitet për t’iu përshtatur ndryshimeve në tregun e punës”, thuhet në reagim.




















