Zyra e Avokatëve “Hodaj & Partners” ka bërë të ditur se ka marrë përsipër përfaqësimin ligjor të kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, lidhur me atë që zyra i cilëson si sulme, kërcënime, fyerje dhe cenim të reputacionit të futbollistit.
Në njoftimin e publikuar thuhet se çështja lidhet me persona “kyç dhe të lidhur brenda Federatës së Futbollit të Kosovës”, ndërsa sipas zyrës ligjore tashmë janë ndërmarrë veprimet e para dhe çështjet janë paraqitur pranë organeve të drejtësisë.
“Veprimet e para ligjore janë ndërmarrë dhe janë paraqitur pranë organeve të drejtësisë, të mbështetura në prova dhe fakte, ndaj personave përgjegjës që janë identifikuar dhe priten të identifikohen”, thuhet në njoftim.
Sipas avokatëve, Rrahmani për më shumë se dy vite është përballur me kërcënime, sulme dhe presione të vazhdueshme. Zyra pretendon se kapiteni i Kosovës ka zgjedhur që shqetësimet e tij t’i adresojë në mënyrë institucionale, duke shmangur publikimin e tyre dhe duke vendosur interesin e Kombëtares dhe të Kosovës mbi atë personal.
Nga zyra “Hodaj & Partners” kanë bërë të ditur se prej tani çështjet që kërkojnë trajtim juridik do të adresohen përmes institucioneve dhe mbi bazën e provave.
“Besojmë se institucionet e drejtësisë do ta thonë fjalën e tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftim, teksa avokatët kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave, integritetit dhe reputacionit të Amir Rrahmanit.




















