Ushtria amerikane ka goditur një numër kampesh të grupit të Shtetit Islamik në Siri këtë javë, duke vrarë deri në 35 militantë, ka bërë të ditur të mërkurën Komanda Qendrore e SHBA-së.
Sulmet ajrore në shkretëtirën e Sirisë qendrore u kryen të hënën në mbrëmje dhe kishin në shënjestër vende të shumta dhe drejtues të lartë të grupit, raporton AP.
Zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se grupi i Shtetit Islamik mbetet një kërcënim në rajon, por nuk është më aq i fuqishëm sa ishte 10 vjet më parë kur militantët përfshinin Irakun dhe Sirinë, duke marrë nën kontroll një pjesë të madhe të dy vendeve.
Komanda Qendrore e SHBA-së ka thënë se sulmet e fundit në Siri do të pengojnë aftësinë e grupit për të planifikuar, organizuar dhe kryer sulme kundër civilëve dhe forcave të SHBA-së dhe aleatëve në rajon.