Valë e rrezikshme e të nxehtit ka prishur festimet e 4 Korrikut në një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara, duke detyruar autoritetet të anulojnë ose shtyjnë dhjetëra parada, koncerte dhe shfaqje fishekzjarrësh.
Edhe Ekspozita e Madhe Amerikane, e organizuar në Sheshin Kombëtar të Uashingtonit në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e pavarësisë së vendit, u ndikua nga temperaturat ekstreme. Aktiviteti u mbyll përkohësisht në orët e para të pasdites, pasi temperaturat arritën deri në 47 gradë Celsius.
Për të përballuar vapën, në zonë u vendosën tenda me ajër të kondicionuar dhe stacione freskimi me spërkatje uji.
Meteorologët dhe autoritetet amerikane kanë paralajmëruar se vala e të nxehtit mund të paraqesë rrezik serioz për shëndetin. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që festojnë në ambiente të hapura të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell, të kërkojnë hije dhe të tregojnë kujdes ndaj simptomave të lodhjes nga nxehtësia.
Për shkak të temperaturave të larta, një sërë aktivitetesh festive janë anuluar në të paktën shtatë shtete, mes tyre parada tradicionale e Ditës së Pavarësisë në Filadelfia, si edhe aktivitete të planifikuara në Takoma Park të Maryland-it dhe në Loudoun County, Virginia.




















