Dyshimi për falsifikimin e Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Zyrën e Kryeministrit, ka shtyrë punëtorët e zyrës së kryeministrit që të hyjnë në grevë.
Këshilli grevist, i përbërë nga Arben Krasniqi, Isa Hajdari dhe Arlinda Sejdiu-Likaj, i kanë dërguar një letër kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti, me kërkesën për anulimin e kësaj rregulloreje, pasi sipas tyre është falsifikuar dhe nuk është ajo të cilën e ka hartuar grupi punues i emëruar në qershor të vitit 2020.
“Në emër të punëtorëve kërkojmë të takohemi me ju që të fillojmë diskutimin ndërmjetësimin dhe zgjidhjen paqësore të kësaj çështje. Në rast të mos përgjigjes nga ana juaj deri me 14 janar 2020 ne do të konsiderojmë që ju keni refuzuar kërkesën tonë për fillimin e procedurës për ndërmjetësim dhe si pasojë ne do të fillojmë grevën”, thuhet në letrën dërguar Hotit.
Mirëpo, burime të Gazetës Insajderi, brenda zyrës së kryeministrit, kanë thënë se dokumenti i hartuar nga grupi punues, është falsifikuar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.
“Sekretari e ka themeluar një grup punues për ta hartuar rregulloren, në ndërkohë pasi është hartuar rregullorja është ndryshuar prej dikujt dhe është bërë falls ajo rregullore dhe kanë mbetur mbi 10 persona që secili prej tyre vjen prej skemës Young Cell Scheme të financuar nga Komisioni Evropian edhe prej Qeverisë edhe janë shtuar 50 pozita të reja të cilat nuk dihet se si do të rekrutohen e as kur, dhe saktësisht”.
“Dokumenti është i falsifikuar dhe greva ka të bëjë me anulimin e kësaj rregulloreje që është falsifikuar në proces. Në ndërkohë zëvendëskryeministri Selmanaj ka ndërhyrë dhe e ka falsifikuar komplet procesin dhe komplet rregulloren”, tha burimi për Insajderin.
“Nëse një grup punues i themeluar ka vendosur në bazë të rregullave dhe ligjit që procesi të duket kështu, strukturimi me u duk kështu, së bashku me ministrinë e integrimit evropian as një person nuk ka të drejt të ndërhyjë pasi të përfundon puna”.
“Veç nëse ka shkelje të ligjit ose aprovohet me ndryshimet që duhet të argumentohen sikurse që aprovohene dhe projektligjet me ndryshime edhe vedimet edhe çështjet tjera, në këtë rast s’ka pasur vendim për ndryshim, veç është nënshkruar ajo rregullore dhe është servuar si e tillë. As nuk ka pasur konsultime publike, as konsultime të brendshme, do të thotë është ndryshuar komplet struktura dhe janë dëmtuar zyrtarët brenda zyrës së kryeministrit, kjo është arsyeja”, ka thënë ky burim për Insajderin.
Madje, këto burime kanë treguar se nëse nuk anulohet kjo rregullore, atëherë grevistët do ta ftojnë prokurorinë për hetimin e një numri dy shifrorë të dokumenteve që pretendojnë se janë falsifikuar nga Driton Selmanaj.
“Nëse këta nuk e anulojnë rregulloren sot, do të ftohet prokuroria që t’i hetojë falsifikimin e dokumenteve, jo vetëm të këtij dokumenti por edhe dokumenteve tjera. Sepse numri i dokumenteve të falsifikuara prej tij shkon në dy shifrorë”, kanë thënë këto burime.
Me 06.01. 2021, punëtorët e zyrës së kryeministrit i kishin dërguar letër Avdullah Hotit, me kërkesën për anulimin Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Zyrën e Kryeministrit.
Në këtë letër, i ishte thënë Hotit se në bazë të reagimeve të bazuara nga ana e shërbyesve civil lidhur me mos konsultimin e tyre, shkeljet ligjore procedurale dhe përmbajtësore që kanë ndodhur gjatë dërgimit në faza tjera konsiderojnë se duhet të anulohet kjo rregullore. /Insajderi.org