Federata Kroate e Futbollit (HNS) ka zyrtarizuar emërimin e Slaven Bilić si përzgjedhës të ri të Kombëtares së Kroacisë, duke e rikthyer në këtë post pas 14 vitesh.
57-vjeçari pason Zlatko Dalićin, ndërsa ishte një nga favoritët kryesorë për të marrë drejtimin e kombëtares.
Bilić e udhëhoqi Kroacinë edhe në periudhën 2006-2012, ku arriti suksesin më të madh në Euro 2008, duke e çuar ekipin deri në çerekfinale. Gjatë mandatit të tij të parë, ai hodhi themelet e brezit që më vonë arriti në finalen e Kupës së Botës 2018 në Rusi.
Sipas mediave kroate, Bilić do të përfitojë rreth një milion euro bruto në vit, ndërsa emërimi i tij është bërë me propozimin e presidentit të HNS-së, Marijan Kustić.
Si futbollist, Bilić ishte pjesë e Kroacisë që fitoi medaljen e bronztë në Kupën e Botës 1998. Në karrierën si trajner ai ka drejtuar skuadra të njohura si West Ham United, West Bromwich Albion, Beşiktaş, Lokomotiv Moskë dhe disa klube në Arabinë Saudite.
Megjithëse nuk ka fituar trofe në nivel klubesh, rikthimi i tij në stolin e Kroacisë konsiderohet një përpjekje për ta rikthyer kombëtaren në nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar.




















