Gratë me mbipeshë ose obezitet që përdorin barna të grupit GLP-1, si Ozempic, Wegovy apo Zepbound, mund të kenë rrezik më të ulët për zhvillimin e kancerit të gjirit, sugjeron një studim i ri i prezantuar në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO).

Sipas hulumtimit, gratë që përdornin këto barna kishin rreth 30 për qind më pak gjasa të diagnostikoheshin me kancer të gjirit krahasuar me ato që nuk i përdornin.

Studimi u realizua nga studiues të Universitetit të Pensilvanisë dhe përfshiu analizën e të dhënave shëndetësore të afro 112 mijë grave të moshës 45 deri në 80 vjeç, të cilat kishin indeks të masës trupore (BMI) mbi 25, që konsiderohet mbipeshë.

Nga të gjitha pjesëmarrëset, rreth 14 për qind kishin përdorur barna GLP-1.

Rezultatet treguan se ato kishin rreth 35 për qind rrezik më të ulët për kancer të gjirit krahasuar me grupin e përgjithshëm.

Për të konfirmuar gjetjet, studiuesit krahasuan më pas mbi 15 mijë gra që përdornin këto barna me një grup tjetër grash me karakteristika të ngjashme. Edhe në këtë analizë, përdorueset e barnave GLP-1 kishin rreth 31 për qind më pak gjasa të zhvillonin kancer të gjirit.

Ekspertët besojnë se efekti mbrojtës mund të lidhet me humbjen e peshës, pasi mbipesha konsiderohet faktor i njohur rreziku për kancerin e gjirit, veçanërisht pas menopauzës.

Po ashtu, këto barna njihen për aftësinë e tyre për të ulur inflamacionin në organizëm, një proces që mund të luajë rol në zhvillimin e disa llojeve të kancerit.

“Studimi ynë nuk vërteton përfundimisht se këto barna reduktojnë rrezikun e kancerit të gjirit, por rezultatet tregojnë se ato meritojnë të studiohen më tej si mjete të mundshme për parandalimin e kancerit”, tha autorja kryesore e studimit, profesorja e radiologjisë Dr. Elizabeth McDonald.

Studiuesit theksojnë se nevojiten studime të tjera për të konfirmuar lidhjen mes barnave GLP-1 dhe uljes së rrezikut të kancerit të gjirit, por rezultatet e deritanishme konsiderohen premtuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts