Tifozët filluan t’i bëjnë nderimet e tyre pranë arkivolit të futbollistit legjendar Pele’ në stadiumin Vila Belmiro në qytetin e tij të lindjes, Santos.
Ai vdiq të enjten në moshën 82 vjeçare pas një beteje me kancerin.
Arkivoli i Pelesë u vendos në fushë ku ai shënoi disa nga golat më të mirë të karrierës së tij. Tifozët kaluan pranë arkivolit të tij në stadiumin me 16,000 vende në periferi të Sao Paulos. Varrimi i tij do të bëhet të martën në një varrezë vetëm 600 metra larg.
Arkivoli i Pelesë do të parakalojë nëpër rrugët e Santosit përpara varrimit të tij. Presidenti i Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva dhe personalitete të tjera pritet të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit.