Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar paralajmërime të reja ndaj Iranit, duke deklaruar se ka urdhëruar përgatitjen e një sulmi masiv me raketa në rast se Teherani do të tentojë ta vrasë atë.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se “1,000 raketa janë gati për t’u lëshuar” drejt Iranit nëse autoritetet iraniane do të ndërmarrin ndonjë përpjekje për atentat ndaj tij.

“1,000 raketa janë gati për t’u lëshuar dhe synojnë Republikën Islamike të Iranit, me mijëra të tjera që do të pasojnë menjëherë, nëse qeveria iraniane zbaton kërcënimin e saj për të vrarë ose për të tentuar të vrasë Presidentin në detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, domethënë mua”, shkroi Trump.

Ai shtoi se urdhrat tashmë janë dhënë dhe se ushtria amerikane është e gatshme të ndërmarrë veprime ushtarake për një periudhë njëvjeçare, me mundësi zgjatjeje, duke pretenduar se mund të “shkatërrojë plotësisht” objektiva në territorin iranian.

Ndërkohë, sipas një raporti të Axios, administrata Trump i ka dërguar Iranit një ultimatum, duke kërkuar që deri të shtunën Teherani të deklarojë se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur dhe të angazhohet për ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare.

Sipas tre zyrtarëve amerikanë, ky mesazh i është përcjellë Iranit si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu edhe përmes ndërmjetësve rajonalë.

Washingtoni pretendon se Irani ka shkelur memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar me SHBA-në tre javë më parë, duke kryer sulme të përsëritura ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Këto incidente, sipas autoriteteve amerikane, kanë rritur tensionet dhe kanë vënë në rrezik marrëveshjen e arritur mes palëve.

Në qendër të përpjekjeve diplomatike është takimi mes ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe homologut të tij nga Omani, Badr al-Busaidi, i cili pritet të zhvillohet në Muscat për të diskutuar krizën në Ngushticën e Hormuzit.

Omani vijon të luajë rolin e ndërmjetësit në negociata dhe, sipas zyrtarëve amerikanë, ka bashkëpunuar me SHBA-në dhe vendet e Gjirit për krijimin e një rruge alternative detare për anijet tregtare, një zhvillim që thuhet se ka irrituar Teheranin.

Po sipas Axios, një zyrtar amerikan ka deklaruar se Irani ka kërkuar rifillimin e bisedimeve pas përshkallëzimit të fundit të tensioneve, duke pranuar se kishte bërë një gabim.

Zyrtarët amerikanë presin që pas takimit në Oman, Irani të dalë me një deklaratë publike ku të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare.

Një zyrtar amerikan paralajmëroi se, nëse Teherani refuzon këto kërkesa, mund të përballet me pasoja serioze.

“Nëse ky nuk është qëndrimi i tyre, atëherë nuk do të jetë një ditë e mirë për ta”, u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts