Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Gjenocidit, Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar shqiptarët e vrarë nga ish-regjimi serb, duke thënë se qeveria e drejtuar nga kjo parti do ta padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë.
“Mbi 13 mijë civilë të vrarë, 1643 ende të pagjetur, 20 mijë gra të dhunuara, dhe më shumë se 1 milion të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre, janë shifra që kanë shtyrë përplot studiues të deklarojnë se ky është gjenocidi i dytë më i rëndë pas atij të nazizmit”, thuhet në një postim të Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund të ketë as qetësi e as paqe të qëndrueshme dhe se krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi për to.
“Ne nuk harrojmë e as nuk do të qëndrojmë pasiv duke pritur që Serbia një ditë ta njeh të kaluarën e saj kriminale e të na kërkoj falje. Prioritet i Qeverisë sonë të re do të jetë padia për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne nuk i kemi asgjë borxh asaj, e ajo na ka shumë neve”, thuhet në komunikatë.