Një skandal që ka ndjekur Volodymyr Zelenskyn që nga viti i kaluar është rikthyer në vëmendje, pas lajmit se agjencitë kundër korrupsionit i kanë dorëzuar ish-shefit të kamotshëm të tij të kabinetit, Andriy Yermak, një njoftim si i dyshuar në një skemë për pastrim parash në vlerë prej miliona dollarësh.

Njoftimi për dyshim, që në njëfarë forme është një akuzë formale, përbën zhvillimin më të madh në hetimin që u bë publik më 2025 dhe detyroi Zelenskyn të ndërmerrte disa hapa për të shmangur pasoja të rënda politike, përfshirë edhe largimin e Andriy Yermakut pas më shumë se pesë vjetësh si shef i kabinetit të tij dhe njeri me ndikim në administratën e presidentit ukrainas.

Si mund të ndikojë ky zhvillim te Zelensky dhe situata në Ukrainë?

Ja pse mund ta godasë rëndë presidentin e Ukrainës dhe pse ai mund të shpresojë të mos pësojë dëm të madh:

“Pothuajse një entitet i vetëm”

Në mendjen e shumë ukrainasve, Volodymyr Zelensky dhe Andriy Yermak mund të jenë të pandashëm, pavarësisht largimit të Yermakut si shef i kabinetit në nëntor të vitit të kaluar. Lidhjet e tyre datojnë rreth një dekade para se aktori i komedisë dhe politikani pa përvojë, Volodymyr Zelensky, të fitonte zgjedhjet presdienciale në vitin 2019.

“Ata janë bërë të pandashëm” dhe “pothuajse si një entitet i vetëm”, deklaroi për Radio Evropa e Lirë në nëntor të vitit të kaluar, Volodymyr Fesenko, drejtor i Qendrës Penta për Studime Politike në Kiev.

Ky raport i afërt dhe ndikimi i madh që Andriy Yermak kishte si shef i kabinetit nënkuptojnë se çdo njollë ndaj tij mund të reflektojë edhe te Zelensky.

“Ndryshe nga Volodymyr Zelenskyy, Andriy Yermak ishte dikush për të cilin askush nuk kishte votuar”, tha më 12 maj për Current Time, Yevhen Mahda, drejtor i Institutit për Politikë Botërore në Kiev. “Përgjegjësia për emërimin e tij si shefi i administratës, dhe më pas për dhënien e të gjitha kompetencave që ai ushtroi, i takon plotësisht Volodymyr Zelenskyt”.

‘Vova’

Më 11 maj, Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorisë së Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO) njoftuan se kishin “zbuluar një grup të organizuar të përfshirë në legalizimin” – pastrimin – “e 460 milionë hrivniave [10.5 milionë dollarë] në një ndërtim luksoz afër Kievit”.

Bëhet fjalë për një kompleks elitar banesor të quajtur Dynastia, për të cilin autoritetet kundër korrupsionit thonë se po ndërtohej pjesërisht me disa nga rreth 100 milionë dollarët, që janë me origjinë të dyshimtë nga sektori energjetik, përfshirë edhe para që dyshohet se vinin nga ryshfetet që të dyshuarit u kërkonin nënkontraktorëve të kompanisë shtetërore ukrainase të energjisë bërthamore, Energoatom.

Ka pasur shenja se skema mund të jetë shtrirë edhe te kontratat për instalime mbrojtëse në objektet energjetike. Ideja se zyrtarë të korruptuar mund të kenë rritur rrezikun nga sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike ka shtuar pakënaqësinë publike.

Një nga elementët e këtij skandali të madh të korrupsionit është një seri audio-incizimesh, në të cilat disa nga të dyshuarit, duke përdorur emra kod si “Kirurgu” dhe “Ali Baba”, diskutojnë çështje që përfshijnë projektin Dynastia. Pjesëmarrës në një nga këto biseda thuhet se përmendin se një nga shtëpitë në kompleks do të ishte për “Andriy” dhe një për “Vova”, që është shkurtim për Volodymyr, duke nxitur spekulime se mund t’i referohet presidentit Zelensky.

Në një konferencë për media më 12 maj, kreu i NABU-s, Semen Kryvonos, tha se Zelensky “nuk ka qenë dhe aktualisht nuk është subjekt i hetimit fillestar”. Ai tha se në kuadër të hetimit, që po vazhdon, po shqyrtohen “teori të ndryshme hetimore lidhur me pronësinë e disa aseteve”.

Këshilltari për komunikim i Zelenskyt, Dmytro Lytvyn, deklaroi më 11 maj se ishte ende herët për të komentuar akuzën e ngritur ndaj Yermakut, duke përmendur se procesi ligjor po vazhdon.

Yermak u tha gazetarëve se e vetmja pronë e paluajtshme që zotëron është një banesë në Kiev. Avokati i tij, Ihor Fomin, gjatë një deklarimi për televizionin publik Suspilne mohoi se Yermak ishte i përfshirë në skemën e dyshuar të pastrimit të parave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts