Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk do të lejojë që i gjithë pushteti të kontrollohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, ka thënë sot u.d. i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.
Në një konferencë për media, Hoxhaj ka deklaruar se PDK-ja nuk ka votë për Vjosa Osmanin, kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për presidente.
Sipas Hoxhajt, votimi i Vjosa Osmanit për presidente do ta vendoste Kosovën “në një pozicion shumë të rrezikshëm”.null
“Zonja Osmani nuk ka platformë. Unë nuk e di se cili është qëndrimi i saj për temat rajonale, për temat e brendshme, për temat e jashtme, çka do duhej ta dëgjonim një gjë të tillë. Së fundmi, zgjedhja e saj si presidente do ta vendoste Kosovën në një pozicion shumë të rrezikshëm, ku de jure dhe de facto pushteti do të koncentrohej në duar të një njeriu, të Albin Kurtit”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka thënë se do të ishte i rrezikshëm kontrollimi i të gjitha pushteteve kryesore nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kreu i PDK-së është shprehur se partia të cilën momentalisht e udhëheq ai, është pro votimit të një kandidati konsensual. Ka thënë se Vjosa Osmani nuk e përmbush këtë kriter.
“Prandaj, PDK-ja është kundër një sistemi një partiak që ta udhëheq vendin dhe ne jemi për një kandidat konsensual i cili do t’i kontribuojë shtetit dhe të gjithë shoqërisë së Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj.