Zjarri tragjik në repartin e maternitetit të spitalit PIMS në Islamabad të Pakistanit dyshohet se nisi në një njësi me ajër të kondicionuar, në katin e tretë të repartit për nëna dhe foshnje.

Sipas informacioneve të raportuara, flakët shpërthyen brenda kësaj njësie dhe tymi u përhap me shpejtësi në hapësirat ku qëndronin të porsalindurit. Pikërisht në këtë pjesë të spitalit ndodheshin 15 foshnje, prej të cilave vetëm një arriti të shpëtohej.

Rrethanat e evakuimit janë bërë pjesë e hetimit, pasi prindër dhe dëshmitarë kanë pretenduar se reagimi ndaj zjarrit ishte i vonuar dhe se nuk kishte funksionuar siç duhej procedura e evakuimit.

Disa prindër kanë deklaruar se kanë pritur me orë për ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit, ndërsa një nënë ka pretenduar se dera e repartit ishte e mbyllur në momentin kur shpërtheu zjarri.

Drejtuesja ekzekutive e spitalit e ka kundërshtuar këtë pretendim, duke thënë se dera nuk ishte e mbyllur, por se reparti kishte staf të pranishëm. Ajo ka sqaruar se kontrolli i hyrjes bëhet edhe për shkak të rasteve të mëparshme të vjedhjes së foshnjave në spitale shtetërore.

Autoritetet tashmë po hetojnë se çfarë e shkaktoi zjarrin në njësinë e ajrit të kondicionuar dhe nëse problemet e mundshme me reagimin dhe evakuimin kanë ndikuar në përmasat e tragjedisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts