Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka aprovuar të hyrat maksimale për KEDS dhe KESCO, ndërsa në mbledhjen e ardhshme pritet të vendoset për çështjen e tarifave të reja të energjisë elektrike, që parashihet të ketë ngritje.
Pas mbledhjes në të cilën u shqyrtuan të hyrat e lejuara maksimale për KOSTT, KEDS dhe KESCO, kryetari Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu theksoi se muajin e kaluar kanë vërejtur ndryshime esenciale në parashikimet që i kishin bërë në janar, kur e kishin publikuar raportin konsultativ ku përfshihej propozimi për shtrenjtim të rrymës.
Fejzullahu tha se këto ndryshime do t’i publikojnë, ndërsa njoftoi se tarifat e reja të energjisë elektrike pritet të miratohen në mbledhjen e radhës të ZRRE-së.
“Nëse i shikojmë edhe raportet besoj, që sot do t’i publikojmë, por ndryshimi esencial është që ne kemi marrë për bazë edhe kostot aktuale të muajit janar, për informimin e publikut edhe në vlerësimin e parë meqenëse ka qenë parashikim gjatë vlerësimit tonë të muajit janar, kemi një diferencë të madhe mes atyre që kanë qenë të parashikuara dhe të realizuara që në realitet kostot e realizuara për muajin janar kanë qenë më të larta se ato që kemi parashikuar në raportin konsultativ. Mirëpo kemi pasur edhe disa komponentë të tjerë të cilat kanë qenë shumë më të ulëta se që kemi parashikuar në raportin fillestar”, tha Fejzullahu.
Për të hyrë vendimi në fuqi nga 1 shkurti, kryetari i bordit të ZRRE, tha se po përpiqen që vendimin për shtrenjtim të rrymës ta marrin para 20 shkurtit, derisa nuk përjashtoi mundësinë që mbledhja për shtrenjtimin e rrymës të mbahet gjatë kësaj jave.
“Ne jemi duke bërë përpjekje që kjo të ndodhë më herët (para 20 shkurtit), është shqyrtim i jashtëzakonshëm, jemi duke u munduar që maksimalisht që si proces të përfundojë sa më parë, duke pasur parasysh që kemi një kosto shtesë në sistem për të cilën domosdoshmërisht duhet të marrim një vendim që këto kosto të mbulohen sa më shpejt prej konsumatorëve, në këtë rast edhe prej subvencionit të qeverisë, të cilën ata e kanë ndarë në mbledhjen e fundit”, theksoi ai.
Bordi i ZRRE-së në mbledhjen e sotme i ka aprovuar 179.56 milionë euro të hyra për KEDS dhe 347 milionë euro për KESCO. Kësaj të fundit i janë zvogëluar të hyrat për rreth 100 milionë euro, pasi që këto mjete do të subvencionohen nga Qeveria e Kosovës për shkak të rritjes së çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar. Ndërsa, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) janë aprovuar në vlerë prej 38.84 milionë euro.