Zyra e Presidentes ka reaguar ndaj raportimeve të publikuara sot lidhur me vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke sqaruar se ftesa e dërguar për Bashkimin Evropian nuk është injoruar.
Sipas një komunikate për media, Zyra e Presidentes ka pranuar përgjigje zyrtare nga Bashkimi Evropian, ku thuhet se për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, nuk është i mundur dërgimi i një Misioni Vëzhgues të Zgjedhjeve apo i një Misioni të Ekspertëve Zgjedhorë.
“Në të njëjtën përgjigje, BE-ja ka bërë të qartë se po shqyrton dhe koordinon një prani ndërkombëtare në ditën e zgjedhjeve përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, shteteve anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë të pranishëm në vend”, thuhet në komunikatë.
Zyra e Presidentes vlerëson se paraqitja e kësaj çështjeje si “injorim” i kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes është e pasaktë dhe nuk pasqyron përmbajtjen e komunikimit zyrtar ndërmjet institucioneve.
“Ftesa e u.d. Presidentes Haxhiu për Bashkimin Evropian është bërë në frymën e transparencës, besueshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Kjo mbetet qasje institucionale e Republikës së Kosovës: zgjedhje të lira, të ndershme, gjithëpërfshirëse dhe të vëzhguara sa më gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë”, theksohet më tej.
Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se mirëpret praninë e Zyrës së BE-së në Kosovë, të shteteve anëtare, partnerëve ndërkombëtarë dhe të gjitha organizatave të akredituara për vëzhgimin e zgjedhjeve, duke ritheksuar se Kosova ka interes që procesi zgjedhor i 7 qershorit të zhvillohet me rregull, transparencë dhe në përputhje me standardet demokratike.




















