Presidenti amerikan, Joe Biden, zhvilloi politika në favor të Serbisë. Kështu shkruan profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, në një analizë për administratën që po largohet dhe për atë që po vjen.
Në një intervistë për A2 CNN, eksperti shpreh zhgënjim të thellë për faktin se si Biden, ashtu edhe Antony Blinken, Derek Chollet dhe Christopher Hill, që e njihnin shumë mirë Ballkanin Perëndimor dhe vuajtjet e Kosovës, vendosën të zbatonin një politikë të Amerikës pro Beogradit.
“Në pjesën më të madhe të Administratës Biden, Gabriel Escobar, ish-zëvendës Shefi i Misionit në Beograd, udhëhoqi politikat e shtetit në Ballkan. Ai shndërroi formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në prioritetin e tij kryesor. Kjo i dha Beogradit atë që dëshironte më së shumti, ndërsa Prishtinës asgjë. Kjo nuk do të funksiononte kurrë dhe ashtu rezultoi”, tha Daniel Serwer, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Profesori shton se njerëzit e Bidenit anuan edhe më shumë drejt Serbisë duke mos thënë asgjë të dobishme kur u rrëmbyen dy policë të Kosovës brenda territorit të saj.