Pas vendimit të Partisë Demokratike të Kosovës për të mos e rizgjedhur Ramiz Lladrovcin si kandidat për kryetar të komunës së Drenasit, qytetarët kanë reaguar fuqishëm përmes rrjeteve sociale. Në sondazhet jozyrtare që po qarkullojnë online, emri i Lladrovcit po del si më i përkrahuri nga qytetarët, transmeton Rilindjashqiptare.

Kryesia e PDK-së, më 27 korrik, zyrtarizoi kandidaturën e Petrit Hajdarit për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor. Ky vendim është pasuar me reagime të shumta në opinionin publik dhe ka krijuar një debat të gjerë politik.

Ramiz Lladrovci ka reaguar përmes një postimi publik, duke shprehur vendosmërinë e tij për të vazhduar misionin politik:

“Asgjë nuk më është rrëzuar deri sot, kush më njeh për mbi katër dekada e di këtë. Respekt për votat pro dhe kundër në selinë e PDK-së, faleminderit edhe atyre që nuk morën pjesë. Kjo është fillimi i fundit politik për budallenjtë dhe mbështetësit e tyre. Qytetarët e Drenasit kanë fjalën e fundit – bashkë, vazhdojmë, +4!”

Në anën tjetër, kandidati i ri i PDK-së, Petrit Hajdari, ka falënderuar kryesinë për besimin dhe ka kërkuar unitet, duke shtuar se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Drenasit.

Megjithëse vendimi i partisë është zyrtar, reagimet në rrjete sociale dhe sondazhet e publikuara aty po tregojnë se Ramiz Lladrovci vazhdon të gëzojë një përkrahje të gjerë. Situata aktuale ka krijuar një ndarje të dukshme mes strukturës së partisë dhe një pjese të madhe të opinionit publik.

Zhvillimet e ardhshme në Drenas pritet të jenë të ngarkuara politikisht, ndërsa mbetet të shihet nëse përkrahja online për Lladrovcin do të përkthehet në ndonjë hap konkret në garën zgjedhore.

Related Posts