Kina sot ka lehtësuar politikën e saj të planifikimit familjar dhe lejoi çiftet të kenë tre fëmijë, bëri të ditur media shtetërore.
Sipas “Global Times”, qeveria kineze ka marrë vendimin për të përmirësuar strukturën e saj të popullsisë dhe për të luftuar problemin e plakjes së popullsisë.
Autoritetet po planifikojnë gjithashtu të përmirësojnë sistemet e lejes së maternitetit dhe të sigurimeve të lehonisë dhe të forcojnë politikat mbështetëse në fusha të tilla si taksat dhe strehimi, raportoi e përditshmja.
Vitin e kaluar në nëntor, Kina lëshoi planin e saj pesëvjeçar për të promovuar zhvillimin e ekuilibruar të popullsisë. Sipas politikës së re, qeveria do të siguronte mbështetje të gjerë sociale dhe ekonomike për t’iu kundërvënë problemeve të plakjes së popullsisë.
Në vitin 2016, Kina lehtësoi kufizimet dhe lejoi çiftet të kenë fëmijë të dytë për shkak të rritjes së shpejtë të plakjes së popullsisë. Më herët në vitin 1978, vendi imponoi “politikë kontraverse me një fëmijë” në përpjekje për të ulur varfërinë dhe për të zhvilluar ekonominë.
Shkalla e lindjeve në këtë vend shënoi rënie pasi numri i të porsalindurve në Kinë ra nga 17,25 milionë në 2017 në 14,65 milionë në 2019, citoi “Global Times” një raport të qendrës kërkimore nën Ministrinë e Sigurisë Publike.