Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka falënderuar qytetarët për daljen në votime gjatë balotazhit të së dielës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, duke iu drejtuar qytetarëve të vendit, ai thotë se “treguan vullnet dhe pjekuri”, derisa shton se votuesit i kontribuuan demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komuna.
“Ju falemnderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra.
Të dashur aktivistë të VETËVENDOSJE!-s, Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore”, ka shkruar kryetari i LVV-së.
Ndryshe, kjo parti në këto zgjedhje rrëmbeu komunën e Mitrovicës së Jugut, atë të Obiliqit dhe Fushë Kosovës.
























