Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka pritur sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian, Aivo Orav, pas marrjes së detyrës si lider partie.
Hamza tha se një qeveri e udhëhequr nga partia e tij, do të angazhohet për heqjen e masave sanksionuese të BE-së, raporton Klankosova.tv
“Një Kosovë më e zhvilluar dhe e integruar në familjen evropiane është synimi ynë. Këtë perspektivë e diskutova sot me Ambasadorin e BE-së, Aivo Orav. Qeveria e re e udhëhequr nga PDK-ja do të angazhohet që BE-ja dhe shtetet anëtare t’i heqin sa më shpejt masat sanksionuese ndaj Kosovës, në mënyrë që vendi të përfitojë nga projektet e përafrimit me BE-në.”
Në fund, ai u shpreh se mbesin të përkushtuar ndaj dialogut të hapur me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, në shërbim të së ardhmes evropiane të Kosovës dhe rajonit tonë.























