Ka filluar afati për aplikim të subjekteve politike për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje e parakohshme të Kuvendit të Kosovës që do të mbahen me 28 dhjetor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se afati do të përfundojë me 30 nëntor.
Kjo periudhë do të zhvillohet në dy afate të ndryshme:
I. Afati për aplikim të subjekteve politike për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje, i cili ka filluar më 24 nëntor, do të përfundojë më 30 nëntor 2025; dhe
II. Afati për dorëzimin e listës së kandidatëve të subjekteve politike, i cili ka filluar më 24 nëntor, do të përfundojë më 7 dhjetor 2025.
Me qëllim të lehtësimit të procesit të aplikimit, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike, e cila do t’iu shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre online për certifikim dhe të listës së kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Të gjitha partive politike të regjistruara aktualisht në Republikën e Kosovës, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) iu ka krijuar dhe dërguar ‘userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin e tyre.
Gjithashtu, KQZ, përmes Zyrës, do të krijojë ‘userët’ edhe për të gjitha subjektet politike (koalicionet, iniciativat dhe kandidatët e pavarur) që kërkojnë të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.
Si bëhet aplikimi?
Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i subjektit politik (koalicionit, iniciativës qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org. Partive politike të regjistruara dhe koalicioneve, u janë krijuar dhe dërguar ‘userët’ dhe prej tyre nuk kërkohet të ndjekin këtë hap.
Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online dhe për të paraqitur aplikimin.
Informacione shtesë: Për më shumë informacione, dokumentacionin dhe kushtet që kërkohen të plotësohen, mund të kontatoni Zyrën përmes e-mailit zyra.kqz@kqz-ks.org apo përmes telefonit +383 38 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00.
























