Në vitin 2014 Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ishte gjobitur nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) më 15 mijë euro për mos zbatim të vendimit të OSHP-së me numër 425/14 të datës 14 nëntor 2014.
Me këtë vendim ishte urdhëruar Universiteti i Prishtinës që ta paguaj këtë gjobë.
Kjo ishte bërë me arsyetimin se operatori ekonomik “NZB Bashkimi” përmes parashtresës me shkrim ka kërkuar nga OSHP që të urdhëroj autoritetin kontraktues, Universitetin e Prishtinës që të zbatoj vendimin e PSH-së të datës 14 nëntor 2014…
Paneli Shqyrtues i Prokurimit e kishte aprovuar ankesën e Operatorit Ekonomik “NZB Bashkimi” lidhur me procedurën e prokurimit me titull “Ndërtimi i Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë” i inicuar nga Universiteti i Prishtinës.
Në këtë vendim të Panelit Shqyertues të Prokurimit ishte anuluar vendimi i UP-së për anulimin e aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë.
Urdhrin për anulimin e aktivitetit të prokurimit për ndërtimin e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë e kishte dhënë sekretari i UP-së, Esat Kelmendi, i cili edhe sot vazhdon ta mbajë këtë pozitë.
E kjo kërkesë e Kelmendit doli të jetë e jashtëligjshme, pasi UP humbi 15 mijë euro duke u gjobituar pikërisht për shkak të anulimit të prokurimit që e kishte kërkuar sekretari i UP-së.
Ballkani.info ka siguruar emalin me të cilin Kelmendi i drejtohet Zyrës së Prokurimit të Universitetit të Prishtinës, ku kërkon anulimin e prokurimit për ndërtimin e Dekanatit të FM-së. Kelmendi për këtë urdhër bazohej në nenin 62 paragrafi 1.1 dhe 1.3 të Ligjit për Prokurim Publik (LPP) nr 04/L-042.
Pas gjobitjes prej 15 mijë eurove, Universiteti i Prishtinës, respektivisht Esat Kelmendi e kishte paditur Organin Shqyrtues të Prokurimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Gjykata Themelore e kishte refuzuar kërkesëpadinë e Universitetit të Prishtinës, duke e detyruar kështu UP-në që të paguaj gjobën prej 15 mijë eurove.
Në aktgjykim jepet edhe arsyetimi i refuzimit të kërkesëpadisë nga UP-ja.
OSHP-ja këto 15 mijë euro i kishte marrë përmes përmbaruesit privat. Kjo kishte ndodhur në janar të vitit 2020, ku me vendim të Gjykatës Themelore i lejohej Përmbaruesit Privat Destan Bujupaj kryerja e përmbarimit duke e prapësuar kështu kërkesën e Universitetit të Prishtinës.