Kryeqyteti i Kosovës do të jetë qendra e një prej ngjarjeve më të veçanta sportive dhe shoqërore të vitit, pasi më 11 qershor 2026 në stadiumin “Fadil Vokrri” do të zhvillohet “Ndeshja e yjeve 2026”, një aktivitet i organizuar në kuadër të festimeve për Ditën e Çlirimit të Prishtinës.
Duke filluar nga ora 18:00, tifozët do të kenë mundësinë të ndjekin nga afër një spektakël unik, ku përballë njëri-tjetrit do të jenë ekipet e udhëhequra nga dy futbollistët e njohur kosovarë, Milot Rashica dhe Fisnik Asllani.
Ngjarja do të bashkojë emra të njohur nga fusha të ndryshme, përfshirë ish-futbollistë, legjenda të sportit kosovar, trajnerë, artistë, aktorë, këngëtarë, moderatorë, gazetarë, krijues të përmbajtjes, sipërmarrës dhe personalitete të tjera publike.
Organizatorët theksojnë se qëllimi i aktivitetit është promovimi i vlerave të solidaritetit, respektit, miqësisë dhe bashkëpunimit, duke sjellë së bashku breza të ndryshëm sportistësh dhe figurash publike në një atmosferë festive dhe bashkuese.

Përveç emocionit që do të ofrojë ndeshja në fushë, të pranishmit do të kenë mundësinë të shijojnë një festë të vërtetë qytetare, ku sporti, kultura dhe argëtimi do të ndërthuren në një organizim që pritet të mbledhë mijëra qytetarë në tribunat e stadiumit.
Hyrja në këtë aktivitet do të jetë falas për të gjithë qytetarët.
“Ndeshja e yjeve 2026” pritet të jetë një nga ngjarjet më të veçanta të verës në Kosovë, duke sjellë në një vend figura që kanë lënë gjurmë në sport, art, media dhe jetën publike të vendit.
📅 11 qershor 2026
🕕 Ora 18:00
🏟️ Stadiumi “Fadil Vokrri”, Prishtinë
🎟️ Hyrja falas



















