Gazetari dhe analisti Lirim Mehmetaj ka reaguar pas publikimit të të dhënave nga aktakuza ndaj Fatmir Shehollit, ku përmendet një dokument i emërtuar “Leptiri”, i gjetur në telefonin e tij.
Sipas dokumentit të përfshirë në materialet e Prokurorisë Speciale, bëhet fjalë për një plan të hartuar në vitin 2001 nga strukturat e atëhershme të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB), që, sipas aktakuzës, kishte për qëllim komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës sa ai ishte i burgosur në Serbi.
Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Mehmetaj ka theksuar se dokumenti nuk duhet të paraqitet si një plan i ditëve të sotme për komprometimin e kryeministrit Kurti.
“Jo, bëhet fjalë për një plan të vitit 2001 për ta rekrutuar të burgosurin Albin Kurti, i cili më vonë doli nga burgu dhe u bë kryeministër i Kosovës”, ka shkruar Mehmetaj.
Ai ka publikuar edhe pjesë nga dosja e Prokurorisë, duke argumentuar se dokumenti i referohet një plani të hartuar në kohën kur Kurti ndodhej në burgjet serbe.
Sipas aktakuzës, dokumenti “Leptiri” është gjetur në telefonin e Shehollit dhe Prokuroria pretendon se ai ua ka përcjellë atë edhe personave të tjerë, përfshirë kërkesën për përkthimin e materialit nga serbishtja në shqip.
Reagimi i Mehmetajt vjen në një kohë kur aktakuza ndaj Shehollit, i cili akuzohet për “spiunazh” dhe “shantazh”, ka nxitur debat të gjerë publik lidhur me dokumentet dhe materialet që dyshohet se janë shpërndarë përmes tij.




















