Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë këtë të premte në ceremoninë shtetërore të organizuar në Prishtinë me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, ku vlerësoi sakrificën e luftëtarëve të lirisë, rolin e aleatëve perëndimorë dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në fjalën e tij, Begaj e cilësoi 12 Qershorin si një datë të gdhendur në memorien historike të kombit shqiptar, duke theksuar se liria e Kosovës erdhi si rezultat i sakrificës së mijëra burrave e grave, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve perëndimorë.

Presidenti nderoi figurat historike të Kosovës, mes tyre Ibrahim Rugova, Adem Jashari dhe Adem Demaçi, duke i cilësuar si simbol të rezistencës dhe shtetformimit të Kosovës.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Begaj deklaroi se ata po përballen me një “padrejtësi të madhe historike”, ndërsa theksoi se “asnjë gjykatë dhe asnjë tentativë për të rishkruar historinë nuk mund ta tjetërsojë të vërtetën e madhe se UÇK-ja nuk ishte agresori, por mburoja e një populli që po shfarosej”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts