Në një listë të përpiluar nga portali gjerman DERWESTEN, që trajton kryesisht çështjet ekonomike, Kosova është renditur si vendi i parafundit më i varfër në Evropë për vitin 2023, para Ukrainës, e cila është renditur e fundit.
Portali gjerman DERWESTEN ka listuar vendet më të varfra në Evropë për vitin 2023. Lista është krijuar mbi bazën e prodhimit të brendshëm bruto (GDP) për frymë banori. GDP-ja (PBB-ja) pasqyron vlerën e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në një vend. Për krijimin e listës, GDP-ja është pjesëtuar me numrin e banorëve për të krijuar një listë sa më të saktë dhe të krahasueshme të vendeve më të varfra në Evropës, thuhet në artikullin e publikuar.
Në listën e 10 vendeve më të varfra në Evropë DERWESTEN ka renditur 10 shtete:
Në vendin e 10-të rendit Serbia, e cila thuhet se ka një GDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto) prej 10,360.72 dollarë për frymë banori.
Vendi i 9-të: Mali i Zi. Kombi relativisht i vogël me 600,000 banorë, është i ndikuar fuqishëm nga turizmi dhe ka një GDP prej 9,811.86 dollarë amerikanë për kokë banori
Vendi i 8-të: Bjellorusia me një GDP prej 7,859,63 dollarë amerikanë. Vendi përfiton shumë nga industria e tekstilit dhe përpunimi i drurit.
Vendi i 7-të: Bosnjë dhe Hercegovina me një GDP për frymë prej 7337.72 dollarë amerikanë.
Vendi i 6-të: Gjeorgjia me një produkt të brendshëm bruto për frymë prej 6670.73 dollarë amerikanë. Sektorët më të rëndësishëm ekonomikë në Gjeorgji janë turizmi në Detin e Zi, kultivimi dhe eksporti i agrumeve, rrushit dhe çajit, si dhe minierat e manganit dhe bakrit.
Vendi i pestë: Maqedonia e Veriut: GDP për frymë prej 6,608.08 dollarë amerikanë. Mallrat më të rëndësishme të eksportit janë ushqimi, vera, hekuri dhe çeliku.
Vendi i katërt: Shqipëria. Produkti i brendshëm bruto i këtij vendi është 6,457,22 dollarë për kokë banori. Në disa fusha – si turizmi apo inflacioni – Shqipëria ka qenë e suksesshme, por është ende një nga vendet më të varfra në Evropë. Përveç shkallës së lartë të papunësisë, Shqipërisë i duhet ende të përballet me një infrastrukturë shumë të dobët.
Vendi i tretë: Moldavia. PBB për frymë është 5,671.22 dollarë amerikanë. Banorët e Moldavisë jetojnë kryesisht nga bujqësia. Klima e Moldavisë favorizon veçanërisht rritjen e frutave
Vendi i dytë më i varfër në Evropë është Kosova
Kosova u shpall e pavarur në vitin 2008 dhe njihet si shtet i pavarur edhe nga Gjermania, ndër të tjera. Brenda asaj që ishte Jugosllavia e atëhershme, Kosova ishte rajoni më i varfër – dhe shteti, me rreth 2 milionë banorë, është ende një nga vendet më të varfra në Evropë. Kjo është për shkak jo vetëm të politikave të dështuara sociale dhe ekonomike si pjesë e Jugosllavisë, por edhe të pasojave të luftës së Kosovës dhe një industrie mezi të zhvilluar.
Për këtë arsye, Kosova konsiderohej prej kohësh si vendi më i varfër në Evropë. Në listën e vendeve më të varfra të kontinentit, megjithatë, Kosova zë vendin e dytë me një prodhim të brendshëm bruto për kokë banori prej 5,290.48 USD. Në vitin 2022, Kosova ishte vendi i fundit ballkanik që aplikoi për pranim në BE.
Vendi më i varfër në Evropë: Ukraina
Fakti që Kosova është zëvendësuar si vendi më i varfër në Evropë është kryesisht për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, e cila filloi me pushtimin e trupave ruse në shkurt të vitit 2022. Deri në fillim të luftës, ekonomia e Ukrainës ishte në një kurs rritjeje, por karakterizohet gjithashtu nga nivele të larta korrupsioni, nuk ka një ekonomi të plotë tregu dhe nuk është një demokraci e vendosur. Produkti i brendshëm bruto (GDP) për frymë në Ukrainë – i ndikuar shumë nga lufta – është vetëm 4,348.57 dollarë amerikanë.