Qytetarët e Podujevës sot votojnë për kryetarin e ri të komunës, i cili do të ketë mandat deri në zgjedhjet e ardhshme komunale të vitit 2021.
Në komunën e Podujevës tashmë janë hapur me kohë të gjitha vendvotimet.
Këtë e ka thënë mbikëqyrësi i qendrës së votimit të njërës prej shkollave në Podujevë.
“Në pikën tonë përgatitjet janë bërë me kohë dhe procesi po ecë mbarë. Kanë ardhë votuesit e parë kanë hedhur votën e tyre. Në orët e hershme të mëngjesit ekipi ka shkuar dhe ka marrë materialin sensitive. Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, procesi deri më tani po shkon në rregull”, ka deklaruar ai.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 87 mijë e 381 votues do të jenë në Podujevë.
Numri i qendrave të votimit në Podujevë do të jetë 45 ndërsa ai i vendvotimeve do të jetë 115.
Kujtojmë se Komuna e Podujevës, ka mbetur pa kryetar që nga muaji qershor, pasi Agim Veliu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emëruar ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Në garë për të parin e komunës, janë Naim Fetahu i PDK-së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së.
Ndërkohë, zgjedhjet sot po mbahen edhe në komunën e Mitrovicës së Veriut.
Edhe në veri të Mitrovicës janë hapur të gjitha qendrat e votimit me kohë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune.
Hapjen e qendrave me kohë e ka konfirmuar për KosovaPress, Sllobodan Dimitrijeviq, kryetar i KQZ-së në veri të Mitrovicës.
Janë gjithsej 7 qendra me 27 vendvotime, ndërsa 23 mijë e 313 qytetarë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen në këtë komunë pas dorëheqjes së kryetarit Goran Rakiq, për shkak të emërimit të tij zëvendëskryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës.
Ndryshe, Milan Radojeviq i Listës Serbe, Florent Azemi i PDK-së, Erden Atiq i Vetëvendosjes dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur, janë në garë për mandatin e kryetarit deri në zgjedhjet e ardhshme komunale që do të mbahen vitin e ardhshëm.