Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda partisë, mbledhjes dhe deponimit të 148 nënshkrimeve të delegatëve që synojnë shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku. Ai përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shkruar se partia i takon anëtarësisë dhe se sfidat politike duhet të zgjidhen përmes demokracisë së brendshme, marrëveshjeve politike dhe debatit.
Ai ka pasur një thirrje për të gjithë ata që po merren me LDK-në, duke thënë se kjo parti i takon anëtarësisë e jo funksionarëve.
“Periudha post-independente dhe post-Rugoviste, veç një gjë e ka konfirmu: që pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje”, ka shkruar Haziri.
Postimi i tij:
I duroj e mundohem me i kuptu krejt ata që merren me LDK-në duke na këshillu e mësu se qysh duhet me u sjell, çka duhet e çka nuk duhet të bëjmë. Bile edhe ata që shpesh ju referohen autoriteteve si ‘patericë’, ‘harrën’ e çka jo tjetër. E di saktë për kend e bëjnë e për çfarë agjendash. Punë përvoje, po get. Po bahen 38 vjet në politikë.
I kuptoj më së shumti aktivistat e militantët që vuajnë me zemër e me bindje dhe e duan LDK-në me qenë e para. Pa dalë e para, asnjë kryetar nuk e lënë rehat, duke ia kërku dorëheqjen.
Ama nuk i kuptoj ata që në fillim na lartësonin deri në qiell dhe më pas shkuan aq larg sa shkruan nekrologji për LDK-në. Mos u lodhni shumë, se LDK i takon anëtarësisë e jo funksionarëve.
LDK din e mundet me u përball me agjendën e Republikës, duke përballu kërkesat e saj me debat të brendshëm, marrëveshje politike apo demokraci të brendshme.
Periudha post-independente dhe post-Rugoviste, veç një gjë e ka konfirmu: që pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje.
Stabiliteti e normalizimi i Republikës kalon përmes zyrave të LDK-së! Ia kemi borxh anëtarësisë dhe të ardhmes së Republikës.
Koha më ka dhënë të drejtë që rikthimi i madh i LDK-së ndodh nga lart-poshtë, me marrëveshje të madhe politike, pa e dëmtu demokracinë e brendshme.
LDK ishte parti ringritëse në një kohë të pakohë, sepse kur krejt ishin rrëzu e dorëzu, LDK nisi ringritjen tonë, si shoqni e organizume.




















