Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar nga SBASHK-u që të ndërpres grevën në arsim, pasi mban përgjegjësi faktike për shkelje të drejtave të njeriut – të nxënësve.
Kështu thuhet përmes një reagimi për media nga KMLDNJ, ku ndër të tjera thuhet se i kanë monitoruar protestat e organizuara në entet parashkollore dhe në disa shkolla, dhe se kërkesat e tyre i konsiderojnë si të drejta dhe të arsyeshme.
“KMDLNJ gjithnjë ka reaguar kundër linçimit publik të orkestruar ndaj SBASHK-ut dhe kryetarit, Rrahman Jasharaj si reagim nga pozita e të fortit e që është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe praktikat e mira ndërkombëtare. Nëse Qeveria e Kosovës ka qëndrim linçues ndaj SBASHK-ut, e kjo është e pakundërshtueshme, edhe SBASHK-u mbanë përgjegjësi faktike dhe konkrete për shkelje të drejtave të njeriut të nxënësve andaj duhet të ndërpres me shkelje të këtyre të drejtave. KMDLNj ka monitoruar protestat e organizuara në entet parashkollore dhe në disa shkolla dhe kërkesat e tyre i konsideron si të drejta dhe të arsyeshme hiç këtu angazhimet për grevë-thyerje nga pozitat ekskluzivisht partiake”, thuhet në reagim.
Sipas reagimit, KMDLNj tërheq vërejtjen edhe për grevën në Komunën e Prishtinës që u shkakton shumë dëme qytetarëve të Prishtinës, që nga foshnjat që duhet të regjistrohen, bizneseve të shumta dhe qytetarëve që janë të privuar nga ofrimi i shërbimeve e që aktualisht janë të pjesshme.
“KMDLNj pret dhe shpreson se greva e SBASHK-ut do të përfundojë shpejt dhe do të nisë procesi arsimor duke theksuar se në këtë rast SBASHK-u nuk do të jetë palë e humbur. Nëse këmbëngul të vazhdojë këtë grevë në këtë mënyrë atëherë, pa asnjë dyshim më së shumti do të humb SBASHK-u, përjashtuar nxënësit që, edhe deri më tani janë humbësit më të mëdhenj, pa fajin e tyre”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Lexoni më poshtë reagimin e plotë të KMDLNJ-së:
SBASHK- u, si përfaqësues i mbrojtjes së të drejtave të mësimdhënësve, në përputhje me mandatin dhe ligjeve në fuqi ka organizuar një grevë të paralajmëruar me kërkesa ndaj qeverisë për plotësimin e kushteve mirëpo ka hasur në një përkrahje të pjesshme andaj greva po vazhdon me ç ‘rast mbi 320,000 nxënës kanë humbur miliona e miliona orë të mësimit, duke e dëmtuar shumë procesin arsimor i cili, edhe ashtu ishte i cenuar. Aq më parë që këto orë nuk do të zëvendësohen, sipas paralajmërimeve të SBASHK-ut.
KMDLNj e njeh të drejtën e grevës, si njërën ndër të drejtat e njeriut nëse është në përputhje me ligjin dhe nuk i rrezikon të drejtat e të tjerëve. Qeveria e Kosovës ka qenë e paralajmëruar shumë muaj më parë për grevën mirëpo nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për ta qetësuar situatën përmes një marrëveshjeje të negociuar dhe të pranuar nga dy palët, deri në një zgjidhje më të mirë, kur të krijohen kushtet dhe mundësitë. Në aspektin ligjor dhe të mandatit greva e SBASHK-ut nuk mund të kundërshtohet e as të gjykohet.
KMDLNj, në çdo reagim, edhe para fillimit të grevës ka bërë thirrje publike palëve të bisedojnë kurse grevën e konsideron si masë të skajshme. Në këtë kontekst, KMDLNj mendon se nuk janë shfrytëzuar mundësitë parandaluese, në radhë të parë nga qeveria përkatësisht MASHT -i i cili, më shumë është angazhuar ta thyejë grevën përmes përçarjes, se që është angazhuar për një zgjidhje të mundshme.
Për këtë arsye KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon dorëheqjen e ministres së MASHT-it për shkak të mungesës së kapacitetit profesional për të menaxhuar MASHT –in dhe, sidomos grevën, pas situatës së krijuar. KMDLNj edhe më parë ka kërkuar të gjendet një zgjidhje për të ndërprerë grevën, qoftë përmes bisedimeve apo deklarimit të njëanshëm për ndërprerje të grevës.
KMDLNj, mendon se SBASHK –u e ka përmbyllur detyrimin, në këtë rast moral ndaj anëtarësisë mirëpo, çdo vazhdim i mëtutjeshëm i grevës do t’i dobësojë pozicionet e SBASHK-ut aq më parë që për dëmet e jashtëzakonshme që po i bëhet procesit arsimor, e tërë përgjegjësia po i adresohet SBASHK –ut e që nuk është e vërtetë. Me stërzgjatjen e grevës e cila është edhe kundër parashikimeve të SBASHK –ut, janë krijuar të gjitha kushtet që SBASHK –u të tregojë një vullnet të njëanshëm ( kur mungon vullneti i qeverisë) dhe të ndërpres grevën. Nuk ka zgjidhje tjetër në këtë situatë !
KMDLNj gjithnjë ka reaguar kundër linçimit publik të orkestruar ndaj SBASHK –ut dhe kryetarit, Rrahman Jasharaj si reagim nga pozita e të fortit e që është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe praktikat e mira ndërkombëtare. Nëse qeveria e Kosovës ka qëndrim linçues ndaj SBASHK-ut, e kjo është e pakundërshtueshme, edhe SBASHK –u mbanë përgjegjësi faktike dhe konkrete për shkelje të drejtave të njeriut të nxënësve andaj duhet të ndërpres me shkelje të këtyre të drejtave. KMDLNj ka monitoruar protestat e organizuara në entet parashkollore dhe në disa shkolla dhe kërkesat e tyre i konsideron si të drejta dhe të arsyeshme hiç këtu angazhimet për grevë-thyerje nga pozitat ekskluzivisht partiake.
KMDLNj tërheq vërejtjen edhe për grevën në komunën e Prishtinës që u shkakton shumë dëme qytetarëve të Prishtinës, që nga foshnjat që duhet të regjistrohen, bizneseve të shumta dhe qytetarëve që janë të privuar nga ofrimi i shërbimeve e që aktualisht janë të pjesshme.
KMDLNj pret dhe shpreson se greva e SBASHK-ut do të përfundojë shpejt dhe do të nisë procesi arsimor duke theksuar se në këtë rast SBASHK –u nuk do të jetë palë e humbur. Nëse këmbëngul të vazhdojë këtë grevë në këtë mënyrë atëherë, pa asnjë dyshim më së shumti do të humb SBASHK-u, përjashtuar nxënësit që, edhe deri më tani janë humbësit më të mëdhenj, pa fajin e tyre. /Telegrafi/