Kolona të gjata në Morinë, pritjet deri në një orë – temperaturat e larta vështirësojnë udhëtimin
Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në pikën kufitare të Morinës, në hyrje të Kosovës, ku qindra udhëtarë po përballen me pritje të zgjatura.
Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, pritjet në disa raste kanë arritur deri në një orë, ndërsa temperaturat e larta po e bëjnë edhe më të vështirë qëndrimin në kolonat e automjeteve.
Situata ka shkaktuar pakënaqësi te drejtuesit e automjeteve, disa prej të cilëve kanë shprehur nervozizmin duke i rënë borive.
Fluksi i shtuar në Morinë lidhet kryesisht me ardhjen e bashkatdhetarëve nga diaspora në Kosovë gjatë sezonit të verës, por edhe me kthimin e pushuesve që kanë kaluar ditët e fundit në Shqipëri dhe tani po udhëtojnë drejt Kosovës apo vendeve të tjera të rajonit.
Me rritjen e fluksit gjatë muajit gusht, udhëtarët këshillohen të kenë durim dhe të planifikojnë udhëtimin duke marrë parasysh mundësinë e pritjeve në pikat kufitare.




















