Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas vendimit për caktimin e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit përtej afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

LDK ka shprehur shqetësim për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues, duke vlerësuar se kjo situatë rrezikon të krijojë paqartësi kushtetuese dhe mungesë të legjitimitetit institucional.

“Një situatë e tillë rrezikon ta vendosë Republikën e Kosovës në një fazë të paqartësisë kushtetuese e mungesë të plotë të legjitimitetit institucional, dhe me pasoja të pariparueshme për funksionimin e rregullt të institucioneve dhe sigurinë juridike në vend”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Kjo parti ka përsëritur qëndrimin se Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Qëndrimi i LDK-së ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë këtij procesi, Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në reagim.

LDK ka kërkuar nga subjekti i parë parlamentar që të mundësojë përfundimin e procesit të konstituimit brenda afatit, duke theksuar se zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është obligim kushtetues.

“Mosthirrja e vazhdimit të seancës sonte, brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, u pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit të tyre në përmbushje të obligimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit”, ka thënë LDK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts