Skuadra e Llapit e mposhti sonte në “Fadil Vokrri” kampionin aktual Prishtinën me rezultat 3:1, ku kështu fitoi për herë të dytë Superkupën e Kosovës në futboll.
Prishtina doli e para në epërsi përmes Otto John në minutën 66, por kjo ishte e tëra që bardhekaltrit arritën të tregojnë në këtë ndeshje.
Futbollistët e Llapit barazuan shifrat përmes Festim Alidemajt, katër minuta para përfundimit të ndeshjes nga penalltia.
Në vazhdimet dy herë nga 15 minuta ishte serish skuadra e Llapit ajo që dominoi në fushë, ku shënoi edhe dy gola të tjerë.
Velmir Veliu në minutën 102-të solli për herë të parë në epërsi llapjanët, ndërsa në minutën 114 Alidemaj u regjistrua edhe një herë në listën e golashënuesve, pasi ishte i pagabueshëm nga penalltia.
Prishtina në këtë ndeshje mbeti me nëntë lojtarë në fushë për shkak të ndëshkimeve me kartonë të kuq të Endrit Krasniqit dhe ndëshkimit me dy kartonë të verdhë të Halimit.
Kjo ndeshje u zhvillua me mbikëqyrjen për herë të parë të sistemit VAR në futbollin kosovar.