Pas një hetimi disamujor, Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan ka arritur që sot të arrestojë gjashtë persona të dyshuar për vjedhje të rëndë.
Gjatë zhvillimit të hetimeve janë siguruar prova që dyshohet se të njëjtit në bashkëveprim kanë qenë të përfshirë të paktën në një rast të veprës penale, ndërsa ekzistojnë dyshime se të njëjtit janë të përfshirë edhe në disa raste të tjera të “vjedhjeve” dhe “vjedhjeve të rënda” për të cilat hetuesit policorë janë duke vazhduar punën intensive në sigurimin e provave dhe ndriçimin e plotë të rasteve.
Bëhet e ditur se në kuadër të procedurave ligjore dhe me autorizim nga gjykata kompetente, janë realizuar kontrolle në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë e Fushë Kosovë. Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar dëshmi materiale, përfshirë edhe tri automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale si dhe telefona celularë.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, gjersa me vendim të Prokurorit të Shtetit që të gjashtë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Hetimet lidhur me këto rast janë duke vazhduar.











