Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelos, ka bërë thirrje të enjten për largimin e menjëhershëm nga detyra të presidentit Donald Trump, nëpërmjet Amendamentit 25. Kjo vetëm një ditë pasi që mbështetësit e tij hynë në ndërtesën e Capitolit në Washington, në një sulm kundër demokracisë amerikane.
“Dje, presidenti i Shteteve të Bashkuara nxiti një kryengritje të armatosur kundër Amerikës”, ka thënë Pelosi para gazetarëve në Capitol, duke shtuar se Trumpi ka kryer një “akt të kryengritjes”.
Ajo e quajti me këtë rast Trumpin si “vdekjeprurës” për amerikanët dhe për vet demokracinë e SHBA-së. Ndërkaq mbështetësit e tij, të cilët hynë dhunshëm në Capitol, i cilësoi “terroristë”.
Pelosi ka shtuar gjithashtu se pret një vendim të shpejt nga zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, lidhur me aktivizimin e Amendamentit të 25-të për largimin e Trumpit nga detyra. Teksa e la të hapur mundësinë e inicimit të procedurës për shkarkim, në rast të mos aktivizimit të Amendamentit.