Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë Fitore Pacolli, kanë prezantuar pakon e re për largimin e deponive ilegale të mbeturinave në gjithë vendin, raporton Ekonomia Online.
Në këtë prezantim u shpalosën masat konkrete dhe veprimet institucionale për mbrojtjen e mjedisit, pastrimin e hapësirave publike dhe adresimin e ndotjes nga deponitë ilegale.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se situata me mbeturina është bërë serioze, duke shtuar se lirisht mund të thuhet se kemi një emergjencë.
“Mbledhja e mbeturinave kërkon harmoni dhe ekuilibër institucional gjë e cila nuk është lehtë e arritshme. Sot kemi një situatë me mangësi serioze në sektorin e mbeturinave. Kemi bërë gati projektligjin e ri për mbeturinat….Ligjin e kemi gati por Kuvendin akoma jo. Situata me mbeturina është bërë serioze e kjo sidomos nga hapësirat që nuk mbulohen nga askush. Lirisht mund të themi se kemi një emergjencë”, ka thënë ai.
“Ky aksion ka për qëllim të arrijë dy efekte e para të intervenoj në vendet ku heqja e mbeturinave rrezikon shëndetin.. Po ashtu, kërkon të shtrojë një rrugë të re, ku qeveria nuk rrin duarkryq por është prijëse e organizimit. Që aksioni të rezultojë i suksesshëm janë paraparë pesë marrëveshje me kompani. Buxheti i paraparë nga Qeveria është një milionë euro. Parashihet largimi i 500 deponive ilegale… Presim që gjatë kohës sa zhvillohet aksioni presim të kemi inspektorë që të vejnë në zbatim ligjin aktual për mbeturinat”, ka shtuar Kurti.
Ministrja në detyrë e këtij dikasteri Fitore Pacolli, ka thënë se sot po lansojnë pakon më të madhe për largimin e mbeturinave.
Sipas Pacollit, janë ndarë 1 milion euro për këtë pako, e cila është më e madhja për largimin e deponive dhe mbulon hapësirat jashtë kufijve të vendbanimeve.
“Janë nënshkruar marrëveshje me kompanitë rajonale në Kosovë. Ne po synojmë largimin e rreth 500 deponive të mbeturinave në mbarë Kosovën. Nuk do të ketë tolerancë për dëmtuesit e natyrës. Çdo ndotës do të përballet me forcën e ligjit” deklaroi ajo.











