Dua Lipa dhe bashkëshorti i saj, Callum Turner, kanë nisur festimet e dasmës së tyre në Palermo të Italisë, ku po organizohet ceremonia e dytë e martesës në prani të familjarëve dhe miqve të njohur nga bota e artit dhe showbiz-it.
Këngëtarja 30-vjeçare dhe aktori 36-vjeçar janë fotografuar gjatë festës paraprake (pre-wedding party), e cila i paraprin ceremonisë kryesore që po mbahet në qytetin italian. Çifti kishte kurorëzuar më herët martesën e tyre në Londër, më 31 maj.
Për mbrëmjen festive në Palermo, ylli i hitit “Houdini” u shfaq me një fustan ngjyrë fildishi të markës “Bottega Veneta”, të realizuar me thurjen karakteristike të shtëpisë së modës, me shpinë të hapur dhe detaje me pupla në fund.
Pamjen elegante, Dua e kompletoi me një çantë të së njëjtës linjë, si dhe me bizhuteri dhe orë luksoze nga marka “Bulgari”.
Të sapomartuarit u panë teksa prisnin dhe përshëndesnin të ftuarit e tyre VIP, të cilët kanë udhëtuar drejt Italisë për fundjavën festive. Në mesin e emrave të njohur të pranishëm në këtë event janë Charli XCX, George Daniel, Joe Alwyn dhe Grace Gummer.
Festimet në Palermo pritet ta kthejnë dasmën e Dua Lipës dhe Callum Turner në një nga ngjarjet më të komentuara të vitit në botën e showbiz-it ndërkombëtar.




















