Disa nga banorët e Zvërnecit, gjatë një takimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pretenduan se pronat e tyre – ku pritet të zbatohet një projekt prej 4 miliardë eurosh – është “grabitur” me dokumente të falsifikuara. Rama u përgjigj se askush nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave dhe se investimi nuk mbetet peng i proceseve gjyqësore.

Prej gjashtë ditësh në Tiranë, por edhe në Vlorë dhe qytete të tjera po protestohet kundër punimeve për ndërtimin e një resorti në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

“Më kanë sorollatur 35 vjet. Njëzetepesë vjet luftoi im atë, derisa vdiq. Ne nuk kemi folur [për debatin për projektin], fakti që s’kemi vrarë e prerë s‘do të thotë që të mos kemi zë”, tha Gentian Moçka, një nga banorët që pretendon pronësi të tokës në Zvërnec, afër Vlorës.

“Prona është në proces gjyqësor dhe s’duhet të kishte nisur asgjë, asnjë investim”, tha Minella Balliu, një tjetër që pretendon pronësi mbi tokën.

Enea Balliu, banor që pret vendimin e drejtësisë për tokat në Zvërnec, gjatë takimit me Ramën në Vlorë më 5 qershor, pretendoi se prona i është marrë përmes dokumenteve të falsifikuara.

Balliu u shpreh se është dakord me investimin në Zvërnec, por kërkoi kthimin e pronës së pretenduar.

Në lidhje me këto pretendime, Rama tha se nëse banorët do të fitojnë gjyqin, paratë që janë “të ngrira” pas hetimit të nisur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, do t’i konfiskohen biznesmenit që ua ka shitur tokën dy vëllezërve nga Katari dhe do t’i kalojnë shtetit, i cili më pas ua shpërndan banorëve që pretendojnë pronësinë, duke shtuar se nuk komenton vendimet e drejtësisë.

Kryeministri i Shqipërisë tha se hetimi nuk zhvillohet për kompaninë, investimin apo projektin, por për individin që ka shitur pronën, duke iu referuar një biznesmeni nga Vlora, që ndodhet në Shtetet e Bashkuara.

Rama sërish mbrojti projektin dhe e bëri të qartë se nuk do të anulohet, pavarësisht protestave.

“Jo pesë mijë vetë, por 500 mijë të dalin në protestë, projekti do të bëhet. Kemi kontratë me 800 mijë njerëz që kanë votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e fundit. Ata në rrugë le të rrinë deri më 2029, të futen në zgjedhje, të matin sa u kushton lëkura politike”, tha Rama, duke pretenduar se gjithçka është politikë dhe nuk ka lidhje me mbrojtjen e mjedisit.Zona Pishë Poro-Nartë është mjedis i mbrojtur dhe konsiderohet si një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe ata shtegtar, përfshirë flamingot.

Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump. Në mars të vitit 2024, Kushner kishte njoftuar se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

Rama u ndal edhe te marrëdhëniet mes investitorëve dhe pronarëve aktualë të tokave në zonë, duke deklaruar se nuk ka dijeni për marrëveshjet konkrete të arritura mes palëve.

“Unë nuk kam takuar asnjë nga pronarët. Nuk ia kam idenë fare se për çfarë marrëveshje kanë bërë investitorët me pronarët. Nëse ju ktheheni në kohë kur ka dalë për herë të parë shfaqja e interesit të familjes së presidentit të SHBA-së [Donald Trump] për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë shumë qartë se Sazani është një çështje e Qeverisë shqiptare, ndërsa pjesa përballë Sazanit është një çështje private”.

Sipas të dhënave zyrtare, pronare e zonës së rrethuar me gardh metalik në Zvërnec rezulton të jetë kompania Albania Land Development, e regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Shqipëri, më 27 maj 2025.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë të kësaj kompanie janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

Gjatë takimit në Vlorë, kreu i Qeverisë shqiptare akuzoi regjimin iranian se po ushqen një fushatë dezinformimi për projektin në Zvërnec, që e cilësoi si luftë hibride kundër Shqipërisë.

“Me atë gardhin me tela me gjemba është bërë një gjë me inteligjencë artificiale, ku shkruhej ‘Stop kufiri i Izraelit’. Është thënë se këtu do të vijnë palestinezët që do të shkulen nga Gaza. Kjo është bërë me një sistem shumë të qartë nga ne në disa xhami, dhe të tjerë e kanë besuar. Kjo ka marrë përmasa botërore dhe është shumë e thjeshtë për ta kuptuar pse Irani është i interesuar për këtë narrativë”, tha Rama.

Ndërsa Rama zhvillonte këtë takim me banorët e Zvërnecit, para Kryeministrisë zhvillohej protesta e gjashtë me radhë. Protestuesit në Shqipëri po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama. Ata paralajmëruan se të shtunën paradite do të shkojnë në Zvërnec dhe pasdite do të mblidhen sërish para Kryeministrisë.

About Author
KushtrimGuraj
View All Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts