Rektori Edmond Hajrizi nderohet me monedhën zyrtare “America 250” të sjellë nga Uashingtoni

Në Kampusin Inovativ të UBT-së kanë nisur punimet e forumit akademik në kuadër të projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, aktivitet që organizohet nga UBT së bashku me partnerët e projektit. Forumi është pjesë e programit ndërkombëtar për shënimin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vënë në pah partneritetin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Forumi me temën “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA” mblodhi personalitete të njohura nga fusha akademike dhe diplomatike, ndër ta rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizi, Daniel Serwer, Faton Bislimi nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, Edward P. Joseph, Besa Tafilaj Pinchotti dhe Mario Marquez.

Gjatë forumit, drejtori i projektit, Faton Bislimi, shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe mikpritjen e UBT-së, duke vlerësuar angazhimin e stafit dhe të gjithë atyre që kontribuan në organizimin e kësaj ngjarjeje.

Momenti më i veçantë i aktivitetit ishte dorëzimi i monedhës zyrtare “America 250”, e sjellë nga Uashingtoni, për rektorin Edmond Hajrizi, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij dhe të UBT-së në organizimin e forumit.

“Kjo është monedha zyrtare e ‘America 250’ që e sollëm nga Uashingtoni. Po jua dorëzoj këtë sepse është thjesht një shenjë e vogël vlerësimi për atë që keni bërë ju dhe për atë që ky universitet ka realizuar sot”, deklaroi Bislimi.

Në përmbyllje, ai falënderoi stafin e UBT-së për përkushtimin e treguar dhe bëri të ditur se ky forum shënon nisjen e një sërë aktivitetesh të rëndësishme që do të zhvillohen gjatë kësaj jave në kuadër të projektit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts