Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, i cili e ka nisur furishëm edicionin te Rapidi i Bukureshtit, ka folur për mediumet rumune në prag të ndeshjes me Rumaninë. Në dy ndeshje të luajtura deri më tani në kampionatin rumun, Rrahmani ka shënuar katër gola, ndërsa te Rapidi u transferua këtë verë nga Ballkani i Suharekës.
Sulmuesi 23-vjeçar është ftuar te Kosova edhe për ndeshjet e këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024” por ende nuk e ka bërë debutimin zyrtar me fanellën e “Dardanëve”. Në një intervistë për “DigiSport”, Rrahmani ka thënë se shpreson të debutoj dhe të shënoj gol kundër Rumanisë, në ndeshjen e Grupit I kualifikues, e cila luhet të martën prej orës 20:45 në Bukuresht. Madje, ai ka thënë se dëshira e tij është t’i shënoj gol portierit të Rumanisë, Horatiu Moldovan, të cilin e ka bashkëlojtar te Rapidi.