Gazetarja e TV21 Maqedoni, Xhumadije Ibrahimi, ishte pjesë e panelit të diskutimit me temën “Sfidat e të rinjve mes ëndrrave dhe suksesit”, i organizuar nga Parlamenti Studentor dhe Asociacioni Studentor në ambientet e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL).
Aktiviteti mblodhi studentë, përfaqësues të jetës akademike dhe profesionistë nga fusha të ndryshme, të cilët ndanë përvojat dhe perspektivat e tyre mbi sfidat, ambiciet dhe rrugëtimin drejt suksesit.
Gjatë fjalës së saj, Ibrahimi ndau me studentët përvojën e saj profesionale në gazetari, duke folur për rëndësinë e përkushtimit, punës së vazhdueshme dhe besimit në ëndrrat personale. Ajo inkurajoi të rinjtë që të mos heqin dorë përballë vështirësive dhe të vazhdojnë të investojnë në zhvillimin e tyre profesional dhe personal.
“Energjia, interesimi dhe pyetjet e studentëve e bënë këtë takim jashtëzakonisht domethënës. Ishte kënaqësi të ndaja mendime dhe përvoja mbi sfidat që hasin të rinjtë në rrugën drejt realizimit të ëndrrave të tyre”, u shpreh Ibrahimi pas aktivitetit.
Diskutimi u karakterizua nga një pjesëmarrje aktive e studentëve, të cilët shfrytëzuan rastin për të ngritur pyetje dhe për të bashkëbiseduar me panelistët mbi tema që lidhen me karrierën, suksesin dhe sfidat e brezit të ri.

Organizatorët vlerësuan se ky aktivitet krijoi një hapësirë të rëndësishme për frymëzim, shkëmbim përvojash dhe motivim për studentët, duke i afruar ata me histori reale suksesi nga profesionistë të fushave të ndryshme.




















