Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, nuk e fsheh ambicien e tij të madhe para fillimit të Botërorit 2026.
Në një intervistë për Blick, mesfushori deklaroi qartë se ëndrra e tij është të fitojë Kupën e Botës me kombëtaren helvetike.
“Dua të bëhem kampion bote. Duhet të guxosh të ëndërrosh, sepse në futboll gjithçka është e mundur”, tha Xhaka, duke shtuar se në një turne të madh duhet të funksionojë gjithçka, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ai u shpreh i bindur se Zvicra ka një grup shumë cilësor dhe të bashkuar për të synuar diçka të madhe.
Për 33-vjeçarin, ky do të jetë turneu i shtatë i madh me fanellën e Zvicrës. Pavarësisht përvojës së madhe, ai pranon se emocionet para një Botërori mbeten të veçanta. Sipas tij, nervozizmi është zëvendësuar nga adrenalina dhe entuziazmi për të nisur një tjetër aventurë ndërkombëtare.
Xhaka theksoi se forca kryesore e Zvicrës është grupi dhe fryma ekipore. Ai kujtoi paraqitjet e mira në Evropianin e fundit, duke vlerësuar unitetin e skuadrës dhe kushtet e mira që ndihmuan ekipin të arrinte rezultate pozitive. Kapiteni beson se edhe në SHBA, Kanada dhe Meksikë, kombëtarja do të tregojë të njëjtin karakter.




















