Kandidati për deputet nga lista e Vetëvendosjes, Skender Thaçi, ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të turizmit si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Si kryetar i një shoqate që merret me turizmin malor dhe njohës i kësaj fushe prej shumë vitesh, Thaçi tha se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm turistik, veçanërisht falë relievit të saj malor.

“Rreth 65 për qind e territorit të Kosovës përbëhet nga male dhe bjeshkë. Ky është një aset i jashtëzakonshëm që na e ka falur natyra dhe që duhet ta shfrytëzojmë për zhvillimin ekonomik të vendit”, u shpreh ai.

Thaçi theksoi se ka qenë pjesë e proceseve për hartimin e Ligjit për Turizmin dhe vlerësoi themelimin e Ministrisë së Turizmit, duke shtuar se hapi i radhës duhet të jetë krijimi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Sipas tij, kjo agjenci do të shërbente si një adresë e përbashkët për hotelierët, restorantet, operatorët turistikë, agjencitë turistike dhe artizanët, me qëllim të koordinimit dhe avancimit të sektorit.

“Do të angazhohem që të jem zëri i bizneseve dhe i sektorit të turizmit në Kuvendin e Kosovës, duke shtyrë përpara politikat që promovojnë Kosovën dhe krijojnë mundësi të reja zhvillimi”, deklaroi Thaçi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta mbështesin në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se turizmi mund të jetë një motor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik dhe promovimit të Kosovës në botë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts