Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk është i shqetësuar për mundësinë që Rusia t’i sulmojë vendet anëtare të NATO-s.
Në një intervistë telefonike për Axios, Trump hodhi poshtë shqetësimet e udhëheqësve evropianë se Moska mund ta testojë vendosmërinë e Aleancës dhe angazhimin e SHBA-së ndaj Nenit 5 për mbrojtjen kolektive.
“Nuk jam aspak i shqetësuar. Nuk ka problem”, deklaroi Trump.
Ai mohoi gjithashtu raportimet se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, kishte udhëtuar në Moskë për ta paralajmëruar Rusinë kundër një sulmi ndaj ndonjë vendi të NATO-s.
Ratcliffe zhvilloi të martën një vizitë të paparalajmëruar në Moskë, ku u takua me drejtorin e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme ruse, Sergey Naryshkin.
Trump e cilësoi takimin si pjesë të punës së zakonshme mes drejtuesve të dy shërbimeve të inteligjencës.
“Ratcliffe takohet me homologun e tij rus një herë në gjashtë muaj ose një herë në vit. Ata kanë marrëdhënie shumë të mira. Nuk pati asnjë mesazh dhe asgjë të pazakontë”, tha ai.
I pyetur përsëri nga gazetarët për mundësinë e një sulmi rus, presidenti amerikan u shpreh i bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
“Ata nuk do ta sulmojnë territorin e NATO-s”, theksoi Trump.
Naryshkin konfirmoi takimin me Ratcliffe, duke thënë se diskutimet ishin pjesë e rregullt e punës së tyre dhe se kishin trajtuar çështje të inteligjencës.




















