Derisa kanë mbetur më pak se dy orë nga mbyllja e qendrave të votimit për zgjedhjet e sotme lokale, partitë politike janë mobilizuar duke i ftuar qytetarët që të dalin për të votuar.
Lideri i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një video në rrjetin e tij social “Facebook”, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë para se të mbyllen qendrat e votimit në orën 19:00.
Thirrje të njëjtë ka bërë edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prishtinës, Hajruallah Çeku.
Kërkesë të tillë bëri edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Uran Ismaili.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës në konferencën për media pasditen e së dielës po ashtu ftoj qytetarët që të shfrytëzojnë orët e mbetura për të votuar për zgjedhjet lokale.
Qytetarët e Republikës së Kosovës po ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.
Procesi i votimit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2,625 vendvotime.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së, është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.
Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.