Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës (Infrakos) ka hapur procedurën e prokurimit për projektin “Sigurimi i Vendkalimeve në Hekurudha”, me një vlerë të parashikuar prej 2 milionë e 449 mijë e 579 euro e 70 centë.

Sipas njoftimit për kontratë, projekti parasheh furnizimin dhe instalimin e shtatë sistemeve automatike të sigurisë në vendkalimet hekurudhore në nivel, përgjatë linjës Prishtinë – Fushë Kosovë – Prizren, konkretisht në komunat Fushë Kosovë, Drenas dhe Klinë.

Nga Infrakos bëhet e ditur se pajisjet do të shërbejnë për rritjen e sigurisë në vendkalimet hekurudhore, përmes sistemeve automatike që synojnë parandalimin e aksidenteve dhe përmirësimin e kontrollit në pikat ku hekurudha kryqëzohet me rrugët.

Kontrata do të realizohet në formën e një marrëveshjeje kornizë me kohëzgjatje prej 15 muajsh, ndërsa kriter për dhënien e saj është çmimi më i ulët.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është caktuar 20 korriku 2026, në orën 14:00, përmes platformës elektronike të prokurimit publik.

Sipas dokumentacionit, projekti financohet plotësisht nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe parashihet të zbatohet gjatë viteve 2026 dhe 2027.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts