Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me sponsorin e Superligës, Albi Mall, ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, që i jepet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e Kosovës.
Për javën e fundit të edicionit, ky çmim i është ndarë futbollistit të KF Dukagjini, Mërgim Pefqeli, i cili u vlerësua për paraqitjen vendimtare në fitoren 1:0 ndaj FC Ballkani.
Pefqeli shënoi golin e vetëm të ndeshjes, duke i siguruar ekipit të tij tri pikë të rëndësishme.
Vlerësimi, siç thotë FFK është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pas marrjes së çmimit, Pefqeli u shpreh se ndeshja ndaj Ballkanit ishte një nga më të rëndësishmet e sezonit dhe se skuadra ishte përgatitur maksimalisht për këtë përballje.





















